Sunday, August 4, 2013

Villas-Boas kritikon Realin për "çështjen Bale"

Londër, 5 gusht - Trajneri portugez i Tottenhamit, Andre Villas-Boas ka kritikuar Real Madridin që ka bërë publik interesimin që ka për Gareth Bale, transmeton Koha Ditore raportin e Goal.com. Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti ka shpjeguar se Reali është në bisedime me Tottenhamin për transferimin e uellsianit 24-vjeçar.

"Thashethemet se çdo gjë është e pashmangshme nuk janë të vërteta. Ne kemi lejuar veten të bëjmë një bisedë me Realin, të konfirmuar nga trajneri i tyre - por, gabimisht. E vetmja gjë që u kemi komunikuar ishte se lojtari nuk është në shitje. Carlo është një person që e vlerësoj shumë dhe kemi respekt të madh për njëri- tjetrin, por ata kanë vendosur të bëjnë këtë çështje publike. Normalisht, situatat si këto në Angli vëzhgohen nga Federata e Futbollit me shumë kujdes dhe vëmendje. Ne kemi parë shumë lojtarë të flasin për një lojtar që nuk është i tyre dhe kërkojmë respekt", ka thënë Villas-Boas.

Tottenhami të shtunën pësoi në miqësore nga Monaco me rezultatin 5:2. Bale nuk udhëtoi me pjesën tjetër të skuadrës për në Monako.

Ndonëse në mediume është raportuar se Bale do të kalojë te Reali, Villas-Boas ka insistuar se llogarit në uellsianin edhe edicionin e ardhshëm.

"Ne shikojmë për të ardhmen me Garethin. Në futboll çdo gjë është e mundur, por ajo që kemi komunikuar deri më tash është se nuk duam të dorëzohemi para interesimit të Real Madridit për lojtarin", ka thënë Villas-Boas.

Bale luajti në pjesën e parë të miqësores së Tottenhamit më 16 korrik kundër Swindonit, por nuk është paraqitur që nga atëherë.

"Ai ka marrë një lëndim të këmbës në stërvitje, kështu që po e merr veten nga lëndimi. Departamenti mjekësor e ka ekzaminuar dhe na ka thënë të mos e aktivizojmë, kështu që nuk mund ta aktivizojmë atë në stërvitje apo në lojë", ka thënë Villas-Boas.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.