Skandalet e fundit në shërbimin diplomatik të Kosovës, për opozitën po tregon nivelin e qeverisjes së brendshme në vend dhe njerëzit ku janë emëruar militantët e partive politike dhe jo njerëzit në bazë të profesionalizmit. E për të gjitha këto zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi nuk ka dashur të përgjigjet.
Incidenti i zëvendësambasadorit, Urtak Hamiti në Kroaci, duke shkaktuar aksident me veturë në gjendje të dehur ka bërë që policia e këtij shteti të arrestojë e më pas ta lirojë. Për këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar menjëherë, duke tërhequr Hamitin dhe duke themeluar një Komision për të shikuar si ka rrjedhur ky rast.
Por, njëjtë, kjo ministri nuk ka reaguar edhe në rastin kur sekretarja në ambasadën e Gjermanisë, Fatmire Musliu, ku në bazë të raportimeve në mediat e vendit thuhet se ajo kishte sulmuar fizikisht ambasadorin në detyrë në këtë shtet, Vilson Mirdita.
Ku ky i fundit për këto raste kishte informuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, presidenten e vendit dhe kryeministrin. Por, ministria këtë rast e konsideron si rast të mbyllur, ku në atë kohë iu është dhënë vërejtje edhe ambasadorit Mirdita dhe sekretares Musliu, transmeton Kosovapress.
Ky rast kishte ndodhur rreth një vit më parë dhe përderisa ambasadori Mirdita më nuk është në pozitën e ambasadorit në Gjermani, Musliu vazhdon të jetë sekretare. Kjo e fundit është e motra e deputetes, Ganimete Musliu.
Në një rast tjetër, MPJ ka reaguar ndaj një punonjëse në ambasadën e Zvicrës, duke e suspenduar nga puna, pasi që ajo në vendin e punës rrinte para kompjuterit duke vendosur këmbët mbi tavolinë
Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë e pamundur të kontaktohen për të marr një deklaratë në lidhje me incidentet që kanë ndodhur në shërbimin e jashtëm diplomatik.
Ndërkohë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka qenë i ashpër në deklarimin e tij, duke thënë se këto veprime po pasqyrojnë edhe gjendjen e qeverisjes në vend.
“No coment. Është reflektim i gjendjes dhe kualitetit qeverisës të vendit, edhe politika e jonë e jashtë ose kualiteti ynë jashtë po reflektojnë gjendjen tonë të brendshme. Dhe një kualitet qeverisës në vend që është i dobët që është në drejtim jo të mirë”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë, Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kosova veç jeton me imazh të dëmtuar, pasi që siç ka thënë ai problemi është tek një sistem diplomatik i ndërtuar tërësisht mbi bazën e militantizmit politik, ku të qenurit militant i partisë është më e rëndësishme se të kesh integritet personal dhe integritet profesional.
“Me këtë rast do të thotë nuk është e papritur sjellja e Urtakut, siç nuk është e papritur edhe e zonjës Musliu, sepse militantët politik të vendosur në një klimë të përgjithshme të pandëshkueshmërisë dhe rrugaçërisë institucionale nuk kanë se si të sillen ndryshe, pra nuk pritet të sillen ndryshe përveç në formën siç janë sjellë dhe nuk kanë se si të përmirësojnë imazhin e Kosovës veç se të dëmtojnë atë. Në këtë drejtim nuk shoh një situatë as Ministrin e Jashtme, as për sistemin diplomatik dhe as imazhin e Kosovës në përgjithësi”, ka theksuar Hoxha.
Për më tepër ai ka shtuar se këto incidente mund të shërbenin për një transformim të gjendjes, por, sipas tij këto nuk po shërbejnë për të transformuar sistemin diplomatik dhe për të ndryshuar atë për të mirë, por do të shërbej për të vendosur një militant politik të favorshëm për regjimin duke e zëvendësuar me një që i përkiste taborit rival.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi i kontaktuar nga Kosovapress, ka kërkuar që të i dërgohen pyetjet përmes postës elektronike.
Redaksia ka pritur gjatë tërë ditës një përgjigje në lidhje me këto raste se a e dëmtojnë imazhin e shtetit të ri të Kosovës dhe a ka njerëz të pa trajnuar në shërbimin diplomatik të Kosovës. Por që në asnjërën prej pyetjeve ai nuk kthyer përgjigje.
Sidoqoftë këto rastet e fundit mbesin si skandalet më të mëdha që kanë ndodhur deri më tash në shërbimin diplomatik të jashtëm.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.