Wednesday, August 7, 2013

FMN: Papunësia do të rritet në Francë


Franca duhet të ngadalësojë ritmin e rregullimit të buxhetit në vitin e ardhshëm për të mbrojtur tentativën e rikthimit tek rritja ekonomike. Kjo është thirrja që Fondi Monetar Ndërkombëtar i bën qeverisë franceze, dhe njëkohësisht paralajmëron se papunësia do të vazhdojë të rritet gjatë këtij viti dhe në vitin e ardhshëm, në ekonominë e dytë më të madhe në Eurozonë.
Në rishikimin periodik të ekonomisë 2 trilionë euro franceze, Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk ndryshoi parashikimin për një kontraktim prej 0.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë këtij viti, pavarësisht shenjave se Franca po i rikthehet rritjes në gjysmën e dytë të këtij viti.

Ndërsa për vitin 2014 FMN parashikon një rritje prej 0.8%. “Rritmi i shërimit të ekonomisë do të përmirësohet relativisht në vitin 2014. Por kjo rimëkëmbje duhet të ribalancohet drejt kontrollit të shpenzimeve”, thuhet në raportin e FMN-së.

Ndërkohë, qeveria franceze parashikon se 2/3 e uljes së deficitit do të sigurohet nga shkurtimi i shpenzimeve dhe 1/3 nga të ardhurat shtesë. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron që pjesë e planit të jenë vetëm shkurtimet e shpenzimeve.

Presidenti i Francës, Fransua Hollande beson në një përmirësim të punësimit në fund të këtij viti, falë subvencioneve të shtetit për punësimin, por FMN-ja është më pak optimiste në këtë pikë dhe parashikon se papunësia do të rritet në 11.2% në këtë vit, nga 10.2 që ishte në vitin 2012.

Ndërsa gjatë vitit të ardhshëm niveli i papunësisë do të rritet deri në 11.6%, për të rënë lehtë në 11.4% më 2015.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.