Monday, August 5, 2013
Një tjetër krim i rëndë në familje është verifikuar në vend, një fenomen në dukje i pandalshëm e që prek kryesisht gratë. Paraditen e së hënës, në një lagje të Tiranës, një burrë 54-vjeçar ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij dy vjet më të re dhe më pas veten.
Lajmin e konfirmojnë burime policore zyrtare, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e çiftit, në rrugën Irfan Tomini, në kryeqytet.
Sipas burimeve, dy viktimat janë identifikuar si Admir dhe Dallëndyshe Jazxhiu dhe pritet që marrja në pyetje e të afërmve dhe fqinjëve të hedhë dritë mbi motivet e këtij krimi të rëndë, njofton TCH.
Krimet e këtij lloji po marrin dita ditës përmasa të frikshme. Rastet më të fundit ishin ato të muajit të kaluar, ku brenda një dite u verifikuan dy vrasje.
Në rastin e parë, një 44-vjeçar vrau bashkëshorten e tij me mjete të forta. Ngjarja ndodhi në Fushë Mamurras, kur Marjan Lleshi ekzekutoi bashkëshorten e tij 27-vjeçare, Valbona.
Ndërsa pak orë më vonë të së njëjtës ditë, shtetasja Alketa Cani, 36 vjeçe, u ekzekutua nga bashkëshorti i saj, Ilirjan Cani, në banesën e tyre.
Më pas, burri tentoi të vriste edhe veten, por fqinjët e transportuan atë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës në një gjendje të rëndë për jetën.
Vrasja e Alketa Canit ishte e treta ndaj një gruaje brenda tri ditësh pas asaj të ndodhur pak ditë më herët po në Tiranë dhe e katërta që nga fillimi i korrikut, pas asaj të ndodhur në lagjen Kombinat të kryeqytetit.
Ngjarjet në fjalë shtynë Myftininë e Tiranës së bashku me Grupin e të Drejtave të Njeriut të organizonin një seminar në lidhje me këtë fenomen të shtunën e kaluar.
Përfaqësuesit e dy grupeve u shprehën njëzëri se, efektet e dhunimit fizik dhe psikologjik të femrës përfshijnë çdo fushë të jetës. “Dinjiteti i femrës është i shenjtë. Çdo grua vjen në jetë për të dhënë jetë në këtë botë”, deklaroi Ylli Gura, kryetar i Myftinisë së Tiranës.
“Duhet të flasim për shoqërinë. Nëse nuk kemi shkallë ndjeshmërie që të na bëjë të shqetësohemi në rastin e dhunës ndaj grave, atëherë nuk mund të presim nga qeveritë tona që tek e fundit janë produkt i kësaj shoqërie”, tha nga ana tjetër Elsa Ballauri, nga Grupi i të Drejtave të Njeriut
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.