Wednesday, August 7, 2013

Posta e Kosovës bashkëpunon me Postën e Sllovenisë

Posta e Kosovës (PK) ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Postën e Sllovenisë (PS) për bashkëpunim në disa fusha. Marrëveshja është nënshkruar nga të dy drejtorët ekzekutiv të postave.
Drejtorit ekzekutiv i PK-së, Sejdi Hoxha, e ka vlerësuar si mjaftë të rëndësishme këtë marrëveshje, përmes të cilës pret edhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. “Përmes memorandumit që do ta nënshkruajmë sot Posta e Sllovenisë do të na ofrojë përvojën e saj të çmuar në fusha të ndryshme postare dhe përmes këtij memorandumi Posta e Kosovës do të përfitojë asistencë teknike dhe modernizim të mëtejmë të shërbimeve postare, avancimin e shërbimeve postare në përputhje me standardet e unionit universal postar, përvojën e postes së Sllovenisë e cila do ta ndihmojë postën e Kosovës për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, asistencë për krijimin e shërbimeve të reja, siç është shërbimi E-servis, trajnimi i stafit të postës së Kosovës për shërbime postare dhe shërbime të tjera”, ka treguar Hoxha.

Sipas drejtorit ekzekutiv të saj, Sejdi Hoxha, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti PK ka ngritur të hyrat dhe ka reduktuar shpenzimet.

Ai, po ashtu ka treguar se kanë aplikuar për të marrë licencën në Bakën Qendrore, në mënyrë që Posta e Kosovës të ofrojë shërbime financiare dhe bankare.

Ndërkaq, sipas drejtorit ekzekutiv të Postës së Sllovenisë, Boris Novak, kjo marrëveshje do të themelojë partneritet fitimprurës për të dyja palët dhe se së bashku do të krijojnë suksesin. Novak ka thënë se do t’i ndihmojnë Postës së Kosovës në modernizimin e shërbimeve postare dhe inovative. “Jemi të sigurt që përvojën dhe njohurinë të cilën e ka Posta e Sllovenisë, dhe e cila është më shumë se 500 vjeçare me traditë prej Sllovenisë, do t’ju sigurojmë që t’i tejkaloni pengesat e biznesit dhe të njëjtën kohë t’ju ndihmojë të zhvilloni objektivat tuaja”, tha Novak.

Posta e Kosovës mbulon rreth 80 për qind të tregut postar në Kosovë me 155 zyra postare.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.