Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka ekzekutuar vendimin për shpërndarjen e pjesshme të 20 përqindëshit për 21 ndërmarrje shoqërore. Nga ky vendim për shpërndarje të pjesshme të 20 përqindëshit, pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, do të përfitojnë gjithsej 1736 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shoqërore, kurse shuma e përgjithshme që shpërndahet tek ta është 2 milionë e 578 mijë e 326 euro.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), këtë shumë të mjeteve e ka bartur në llogari të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ashtu siç është e përcaktuar ligjërisht mënyra e shpërndarjes së 20 përqindëshit për punëtorët, ndërsa BSPK do të shpërndaj mjetet te secili punëtorë në llogari individuale.
Lista e këtyre 21 ndërmarrjeve shoqërore përbëhet nga: IMK F. e Tubave-Ferizaj; KB Kosova-Lipjan; Elmont-Pejë, Sharprodhimi-Dragash, Jugobanka-Mitroivcë, Moronica-Junik, Kb Gurrakoc, Kb Ujmir, Deva-Gjakovë, Liria-Budisalc, Kb-Rakosh, Gjeravica-Deçan, Tregjet-Peje, Marketing Export-Prishtinë, Prodhimtaria Bimore-Rezniq, Kooperimi-Suharekë, Jugoterm-Gjilan, Kb Shtime, Qumështorja-Fushë Kosovë, Termovent-Lipjan dhe Podrima-Rahovec.
Shpërndarja e përnjëhershme e 20 përqindëshit për një numër kaq të madh të ndërmarrjeve shoqërore motivon stafin e Agjencisë për punë. Njëherit, Agjencia kërkon nga përfaqësuesit e këtyre Ndërmarrjeve Shoqërore që në BSPK të dërgojnë llogarit bankare dhe kopjet e letërnjoftimit për secilin punëtor që është në listë, në mënyrë që të mos ketë vonesa në bartjen e mjeteve tek punëtorët.
Shuma e përgjithshme e 20 përqindëshit për këto 21 ndërmarrje shoqërore është 3 milionë e 437 mijë euro e 768 euro, kurse pjesa e mbetur do të shpërndahet në momentin kur Dhoma e Posaçme lëshon vendimet e formës së prerë lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e mundshme ndaj listave aktuale të punëtorëve të NSh-ve.
Deri më tani Agjencia ka shpërndarë mbi 77 milionë euro dhe kanë përfituar 36 mijë e 281 punëtorë. Kurse gjatë këtij viti Agjencia ka shpërndarë rreth 7 milionë euro për 4 mijë e 398 punëtorë pa përfshirë këtu shpërndarjet e fundit.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.