Tuesday, August 6, 2013

Sejdiu: Shamia, kompetencë e Qeverisë

Kryeministri Hashim Thaçi mund të vendosë për bartjen ose jo të shamive në shkolla pasi heqja e ndalesës aktuale për këtë është kompetencë e Qeverisë.
Juristi, Korab Sejdiu, shpjegoi për Express se si mund të realizohet kërkesa e Komisionitpër liritë fetare drejtuar kreut të ekzekutivit, e që ka të bëjë me lejimin e bartjes së shamisë në shkolla.

Sipas tij, Qeveria si organ që ka lëshuar këtë ndalesë mund ta ndryshojë atë në çdo kohë.

“Në rastet e tilla kur rregulloret ndryshojnë ose udhëzimet, ato janë në kompetencë të organit që i ka lëshu në këtë rast Qeverisë apo Ministrisë varësisht nga cili nivel është lëshu”, tha Sejdiu për Express.

“Udhëzimin administrativ, faktikisht mundet me e ndryshu në çfarëdo kohe nga organi i cili e ka lëshu, nëse e ka të bazuar atë ndryshim në Ligj”, shtoi ai.

Por, përveç udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla, edhe Gjykata Kushtetuese e kishte thënë fjalën e saj.

Mendimin e saj Gjykata e pati dhënë pasi asaj iu drejtua rasti i 19 vjeçares Arjeta Halimi nga Vitia të cilës iu ndalua vijimi i mësimeve në Shkollën “Kuvendi i Lezhës” për shkak shami.

Vendimi i Gjykatës ishte marrë duke u thirr në laicizmin që garantohet me aktin më të lartë juridik dhe politik të shtetit. Por, ky vendim sipas Sejdiut ka qenë jo meritor.

“Në fakt lënda si lëndë është vendosur mbi bazën e çështjeve procedurale, do të thotë nuk është trajtuar si diçka për t’u vendos në mënyrë meritore, sipas analizës së rastit që i kanë bërë në aspekt se a është shkelje e Kushtetutës bartja e shamive në shkolla apo jo”, tha Sejdiu.

Ai tha se duhet të diferencohet çështja e promovimit të fesë nga shteti dhe lirimi i ushtrimit të saj nga persona të caktuar.

“Këto janë dy çështje të ndara pra në njërën anë pajtohem që vetë Kushtetua përcakton që shteti nuk guxon me promovu njërën apo tjetrën fe, ajo edhe e ka kuptimin e shteti laik, që shpesh keqkuptohet nga njerëzit”, tha ai për gazetën.

Por, në anën tjetër, sipas Sejdiut, mohimi që i vjen një personi nga shteti për të ushtruar fenë e tij, është shkelje e të drejtave themelore.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.