Komunat kanë dështuar për të menaxhuar pyjet e Kosovës. Ky është vlerësimi i kryeinspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës (APK), Kadri Kadrijaj, i cili u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të bërë ndryshime në Ligjin për Pyjet, duke mundësuar që kompetencat të kthehen prapë tek APK-ja. Po ashtu ai ka treguar se pyjet janë duke u dëmtuar edhe në zonat e shpallura si parqe nacionale.
Kryeinspektori i Pyjeve në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, Kadri Kadriaj ka thënë për Telegrafin se ndryshimi i Ligjit të Pyjeve në vitin 2010, që u dha komunave kompetenca për mbrojtjen e pyjeve, ka qenë ka qenë plotësisht negativ, sepse komunat kanë qenë totalisht të papërgatitura për mbrojtjen e pyjeve.
Ai ka shpjeguar se nuk ka përgjegjësi vetëm për të luftuar prerjet ilegale, por kërkohet edhe angazhim kundër sëmundjeve, dëmtuesve, vërshimeve, e të tjera probleme. Sipas Kadrijajt, komunat kanë qenë të papërgatitura edhe në aspektin e stafit dhe të logjistikës.
“Prej 36 komunave, vetëm Komuna e Istogut ka një inxhinier të pylltarisë. Asnjë komunë tjetër nuk ka ndonjë profesionit të nivelit universitar. Mbrojta e pyjeve në përgjithësi ka dështuar, për shkak të mosgatishmërisë që kuvendeve komunale për t’u marrë siç duhet me këtë çështje. Në shumicën e rasteve, këtë e kanë neglizhuar kryetarët e komunave dhe stafi tjetër”, ka shpjeguar Kadrijaj.
“Ka pasur probleme në komunat e Ferizajt, Podujevës. Ndërsa në vitin 2011 dhe 2012 ka pasur probleme komuna e Pejës dhe Deçanit. Totalisht është e dështuar Podujeva, ku Inspektorati ka bërë fletëparaqitje, duke nisur nga kryetari dhe për zyrtarët tjerë përgjegjës. Por, rezultat në teren tregojnë se nuk ka përmirësime”, ka thënë Kadrijaj.
Ai ka shpjeguar se në vitin 2011, në nivelin qendror ka pasur pesë inspektorë në teren, prej tyre një i suspenduar. Aktualisht janë dymbëdhjetë inspektorë.
Kryeinspektori Kadriaj ka shpjeguar se pas inspektimeve në teren dhe sipas raporteve që i sjellin nga kuvendet komunale, kanë insistuar në Komisionin parlamentar për hartimin e Ligjit të Pyjeve, i cili është duke u punuar tash, që kompetencat për mbrojtjen e pyjeve të kalojë nga kuvendet komunale tek APK-ja. “Kjo mundësi është diskutuar. Ka vullnet që kjo çështje të centralizohet prapë, e jo të decentralizohet, duhet të dihet se kush është direkt kompetent dhe përgjegjës për këtë çështje. Aktualisht APK-ja është vetëm në rolin e mbikëqyrjes dhe monitorimit, edhe pse ka një staf jashtëzakonisht të përgatitur profesionalisht”, ka thënë Kadrijaj, për Portalin Telegrafi.
Kryeinspektori Kadriaj ka theksuar se një problematikë tjetër ka lindur pas kalimit të 63 mijë hektarëve pyje në kuadër të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemura. “I kam bërë disa inspektime nëpër këto zona dhe vërehet një vakum, sepse drejtoria e parkut nacional ende nuk është konsoliduar. Është një tranzicon për të kaluar kompetencat nga komunat e Pejës, Istogut, Junikut te MMPH-ja”, ka shpjeguar Kadrijaj.
Ai ka thënë se shumicën e aksioneve i bëjnë bashkërisht me Policinë e Kosovës, duke pasur parasysh rreziqet, sidomos në terrenet e largëta.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.