Wednesday, August 7, 2013

Kosova vendi më i varfër në Evropë

Migrimi në Kosovë shkaktohet nga korrupsioni, krimi i organizuar, mos ekzistimi i shtetit ligjor, mos ekzistimi i një strategjie të qartë të zhvillimit ekonomik dhe niveli i lartë i papunësisë. Kurse, personat nga 15 deri në 24 vjet janë më të prirë për të migruar.
Kështu ka thënë Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke i treguar rezultatet e raportit të tyre se “Cilët qytetarë janë më të prirë të migrojnë në vendet e BE-së”.

Sipas Dolit, migrimi në Kosovë nuk duhet të shihet vetëm si dëshirë e qytetarëve të Kosovës për t’u larguar jashtë kufijve të vendit dhe për t’u vendosur në zonat e vendeve shengen dhe vendeve të tjera të BE-së, por sipas tij ky fenomen është shkaktuar kryesisht prej nevojave të qytetarëve të cilat nuk iu ofrohen në Kosovë.

Gjithashtu, Doli ka thënë se shkaku i potencialit shumë të madh të migruesve, Komisioni Evropian mund ta shtyjë procesin e liberalizimit të vizave. “Në shtator të këtij viti Komisioni Evropian, ndër të tjera do të shtoj edhe potencialin migrues që ka Kosova. Andaj si rrjedhojë e këtij vlerësimi ekziston rreziku shumë i madh që Komisioni Evropian të shtyj procesin e liberalizimit të vizave për shkak të potencialit të madh të migrimit që ka Kosova sidomos në muajt e kaluar”, theksoi Doli.

Ndërsa Delfina Elshani, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka shtuar se analiza tregon se rezultatet në të cilat kanë hasur tregojnë se janë ashtu siç priteshin. “Individët të cilët kanë njohuri rreth Bashkimit Evropian dhe politikave të tyre janë më pak të prirë për të migruar në BE sesa individët të cilët nuk kanë njohura ose kanë njohuri mesatare...Faktor tjetër i rëndësishëm i cili ndikon në gatishmërinë e qytetarëve për të migruar është edhe mosha. Personat që i përkasin grup moshës 15 deri në 24 vjet janë më shumë të prirë për të migruar drejt shteteve të BE-së, janë më të prirë për të udhëtuar sesa personat 25 deri 60 vjeç”, tha Elshani.

Sipas Elshanit edhe banorët të cilët jetojnë në Mitrovicë janë më të prirë të migrojnë sesa ata që jetojnë në rajonin e Prishtinës, pasi sipas saj shkalla e lartë e varfërisë e konflikti në veri janë disa nga faktorët që ndikojnë në migrim.

Po ashtu në raport thuhet se prej 4 - 4.7 për qind në vitet në vijim Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë. Sipas të dhënave thuhet se 29.7 për qind e kosovarëve jetojnë nën kufirin nacional të varfërisë, ndërsa 10.2 për qind jetojnë në varfëri ekstreme. Gjithashtu thuhet se shkalla e pa punësisë në gjysmën e parë të vitit 2012 ishte 35 për qind, përqindje kjo veçanërisht e lartë, në mesin e të rinjve, raporton Ksp.

GSJP, ka rekomanduar që ky boshllëk në shoqëri duhet të adresohet nga Qeveria përmes kampanjave vetëdijesuse dhe si rrjedhojë të përmirësoj indikatorin “gatishmëria për të migruar”.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.