Tuesday, August 6, 2013

Index Kosova: Sondazhi ishte profesional

Index Kosova i është përgjigjur kritikave të AAK-së dhe AKR-së për sondazhin e publikuar një ditë më parë për Kuvendin Komunal të Prishtinës. Visar Berisha, nga Index Kosova, gjatë debatit në Info Magazine të Klan Kosovës, deklaroi se sondazhi ka qenë i realizuar sipas të gjitha parametrave profesionale.
"Sondazhi ka qenë profesional dhe ai paraqet disponimin e respodentëve për muajin qershor. Index Kosova nuk ka arsye që të mashtrojë ose të ndikohet politikisht. Ne e kemi paraqitur përgjigjen e të anketuarve për partinë politike dhe gjithçka mund të ndryshojë kur të caktohen kandidatët”, ka thënë Berisha, transmeton Express.

Analisti politik Ardian Arifaj deklaroi se nuk ka arsye që të kundërshtohet anketa e Index Kosova.

Sipas Arifajt, partitë politike duhen të merren seriozisht me këto të dhëna.

“Nuk kam arsye të mos i besoj këtij hulumtimi. Unë mendoj se kjo paraqet një fotografi reale, të një fotografie të çastit për kryeqytetin. I kuptoj reagimet e partive politike, por them se ka ende kohë deri në 3 nëntor. Ato duhet të merren me 35 për qindëshin që sipas anketës nuk u kanë besuar asnjërës. Aty duhet ta kenë fokusin”, theksoi analisti Arifaj.

AAK dhe AKR e kanë quajtur sondazhin mashtrim, joprofesional dhe tendencioz.

Partia e Haradinajt, sipas Index Kosova, doli me mbështetje 4.2 %, derisa AKR kishte 3.4 për qind. E para u radhit LDK me 28.8 % e pasuar nga Vetëvendosje me 17.2 %. PDK ,sipas anketës, kishte mbështetje prej 11.2 %.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.