Thursday, August 8, 2013
Festohet Fitër Bajrami
Besimtarët islam të Kosovës po festojnë sot Fitër Bajramin, pas përfundimit të Muajit të madhëruar të Ramazanit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë ‘Sulltan Mehmet Fatih’ (Xhamia e Madhe) në Prishtinë. Manifestimi filloi në orën 5:00 me faljen e namazit të sabahut. Kurse namazi i Fitër Bajramit u fal në orën 6:12 minuta, të cilit i priu dr. Hajredin Hoxha.
Hytben e Fitër Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili uroi të gjithë besimtarët për Fastën e Fitër Bajramit.
“Duke u bazuar në parimin se të gjithë jemi njerëz, dhe bijtë e Ademit dhe Havasë, ju ftoi që mes njerëzve të dominoi uniteti, vëllazërimi, harmonia, solidariteti dhe bashkimi i ndërsjellë, sepse vetëm kështu jeta do ta ketë kuptimin e saj”, tha ndër të tjera Myftiu i Kosovës.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka uruar udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarët myslimanë. “Dita e Bajramit të Madh është një ditë feste, që vjen pas muajit të Ramazanit, e karakterizuar me sakrificë dhe solidaritet mes gjithë njerëzve. Uroj që këtë ditë ta shënoni së bashku me më të dashurit tuaj, me të mirat që ua ka dhuruar Zoti”, ka thënë Jahjaga në urimin e saj.
Jahjaga ka thënë se ashtu si në gjithë festat e tjera të Kosovës, edhe në këtë ditë të shënuar duhet të shtohet kujdesi për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për ndihmë. “Në këtë ditë t’i përkujtojmë me respekt të gjithë ata që sot nuk janë në mesin tonë, të gjithë ata që me sakrificën e tyre bënë që ne sot të kemi shtetin tonë, të jetojmë të lirë”, ka thënë në urimin e saj, presidentja Jahjaga
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.