Maturantët kanë shprehur interesim të jashtëzakonshëm për të studiuar në lëmin e bujqësisë dhe veterinarisë. Vetëm gjatë këtij viti, në programe të ndryshme të bujqësisë kanë aplikuar 353 studentë të rinjë, që shprehur në përqindje, i bie se 100 për qind është rritur interesimi për të studiuar bujqësinë.
Leonita Canolli është njëra ndër studentët e reja të fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Ajo thotë për portalin “Ferma Ime” se shkak pse kishte zgjedhur ta studionte bujqësinë krahas dëshirës ishte edhe mundësia më e madhe për punësim. “Arsyeja se pse kam vendosur të studioj bujqësinë, është se ky drejtim ka perspektivë më të madhe, natyrisht nëse punohet me dashuri, përkushtim dhe interesim të madh. Në kushtet aktuale që ne jetojmë në Kosovë, është çdo gjë e vështirë. Mirëpo, nëse jemi të përkushtuar ndaj punës, atëherë besoj se ia arrijmë. Këtë dua ta lidhi me bujqësinë, sepse mendoj se edhe femrat ia dalin për të studiuar por edhe për të punuar në bujqësi. Unë që nga fëmijëria jam rritur me bujqësinë dhe tani mezi po pres të fillojë ligjëratat në fakultet”, thotë ajo.
E, vlugun e madh të maturantëve që sivjet e vërshuan Fakultetin e Bujqësisë dhe veterinarisë në Prishtinë, e konfirmo edhe vet dekani i fakultetit, prof.dr., Bedri Dragusha. “Krahasuar vetëm me vitin e kaluar, sivjet janë paraqitur 100 për qind më shumë studentë, gjegjësisht maturant për të studiuar në fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Pra, numri i përgjithshëm i studentëve që kanë aplikuar në fakultet, është mbi 353 gjë që nuk ka ndodhur sidomos në vitet e pasluftës”, thotë mes tjerash Dragusha.
Arsyet, sipas tij, janë të shumta. “Vetëdijesimi i popullatës, posaçërisht i maturantëve, se bujqësia është një degë mjaftë fitimprurëse e ekonomisë së një shteti. Pastaj, interes tjetër është edhe punësimi shumë i lehtë pas përfundimit të studimeve në bujqësi, krahasuar me të gjitha degët e tjera. Njëherësh vlen të theksohen edhe kushtet e mira që ofron fakulteti i bujqësisë dhe veterinarisë për studim me ç`rast është i pajisur me laboratorë bashkëkohore, me fusha eksperimentale, me fusha demonstruese nga pemëtaria, lavërtaria, perimtaria, gjithashtu kemi edhe klinikën veterinare”, sqaron Dragusha.
Ndërkohë, Unioni i Studentëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, kishte iniciuar një fushatë vetëdijesuese me titull “perspektiva e të studiuarit të bujqësisë”.
Ideatori i këtij projekti, Driton Sylejmani, thotë për portalin “Ferma Ime” se qëllimi i këtij projekti ishte informimi, afirmimi, promovimi, dhe tërheqja në shkallë sa më të lartë, e maturantëve për të studiuar fushën e bujqësisë, në mënyrë që të krijohen kuadro të cilët do të jenë bartës të zhvillimit ekonomik për vendin tonë me bujqësinë si shtyllë e këtij zhvillimi. “Projekti është realizuar pothuajse në të gjitha gjimnazet, shkollat e mesme mikse shkollat ekonomike dhe shkollat bujqësore të Republikës së Kosovës, përfshirë 28 qytete dhe 46 shkolla", thekson Sylejmani.
Ai pretendon se është projekti i Unionit të Studentëve ai që ka bërë që të shtohet interesimi për ta studiuar bujqësinë. /Ferma ime.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.