Me rastin e Ditës së Bajramit të Madh, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi i kanë uruar udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarët myslimanë.
“Me rastin e Ditës së Bajramit të Madh, të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë u përcjell urimet e mia më të përzemërta. Dita e Bajramit të Madh është një ditë feste, që vjen pas muajit të Ramazanit, i karakterizuar me sakrificë dhe solidaritet mes gjithë njerëzve”, thuhet në urimin e Presidentes.
“Uroj që këtë ditë ta shënoni së bashku me më të dashurit tuaj, me të mirat që ua ka dhuruar Zoti. Si në gjithë festat tona, edhe në këtë ditë të shënuar, të kujdesemi për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë, të dëshmojmë edhe një herë ndjenjën tonë të solidaritetit.
Në këtë ditë, të përkujtojmë me respekt të gjithë ata që sot nuk janë në mesin tonë, të gjithë ata që me sakrificën e tyre bënë që ne sot të kemi shtetin tonë, të jetojmë të lirë”, thuhet në urimin e presidentes Jahjaga.
Në urimin e tij kryekuvendari Krasniqi thekson se muaji i Ramazanit, që kurorëzohet me Bajramin e Madh, simbolizon sakrificën, përkushtimin e besimtarëve dhe solidaritetin me njëri-tjetrin.
“Në emrin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës uroj që në Kosovë të mbretërojë paqja, respekti, toleranca dhe mirëkuptimi”, theksohet në urimin e kryekuvendarit Krasniqi, drejtuar qytetarëve të besimit islam.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.