Monday, August 5, 2013

Makolli inkurajon krijuesit e diasporës

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka kërkuar nga krijuesit dhe shkrimtarët e diasporës që për asnjë moment të mos e ndiejnë veten të përjashtuar nga vendit i tyre, duke shtuar se krijimtaria e tyre përpos që bart vlerat dhe frymën e origjinës, njëherësh gërsheton edhe kulturën ku ata jetojnë.
Makolli këto komente i ka bërë gjatë konferencës së shkrimtarëve dhe poetëve nga diaspora, e cila po mbahet në Prishtinë.

Konferenca me autorët shqiptarë nga diaspora, ka pas për qëllim themelimin e “Unionit të Krijuesve nga Diaspora”, ndërkohë aktivitetet do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme me promovimin e disa librave, raporton KP.

“Në asnjë moment, asnjë prej mërgimtarëve tanë, në veçanti krijuesit nuk duhet të ndien veten që janë të përjashtuar nga vendi them e përjashtuar në thonjëza, sepse mund të keqkuptohem, por e kam fjalën për krijimtarinë dhe krijimtaria e tyre sot ka bërë që vlerat tona të pasurohen edhe më tepër në veçanti kur kemi parasysh që krijuesit jashtë Kosovës në krijimtarinë e tyre përpos që bartin vlerat, frymën e kulturës së vendit të origjinës njëkohësisht e gërshetojnë edhe kulturën e vendit ku jetojnë dhe natyrisht kjo është një pasuri edhe individuale, por edhe kolektive të përgjithshme”, ka theksuar Makolli.

Për më tepër, ai ka thënë se institucionet shtetërore në përgjithësi do të vazhdojnë me të gjitha kapacitetet në krijimin e kushteve më të mira për krijuesit në mërgatë, në veçanti për të pas një lidhje më të mirë me krijimtarinë që zhvillohet në vend.

Ndërkohë, koordinatori i organizimit të kësaj konference, Fran Tanushi ka thënë se me rritjen e numrit të mërguarve në vendet e ndryshme të botës edhe numri krijuesve në fusha të ndryshme rezultoi me ngritje.

Më tej, ai ka thënë se mërgata dëshiron një bashkëpunim me të gjithë shqiptarët që gjendet nëpër vendet e ndryshme nëpër botë, për të kaluar sfidat që shfaqen shpeshherë.

Ndërkaq, Neki Lulaj, kryetar i Shoqatës Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani ka folur për aktivitetet e shumta që kanë pasur në këtë shtet mërgata shqiptare.

“Kemi organizuar afër 100 manifestime poetike, orë letrare, titujsh autorësh të rinj, takime tradicionale poetike letrare me karakter garues e që vlen të përmendim takimin tradicional ‘Azem Shkreli’ në koordinim me vet familjen e poetit”, ka deklaruar ai.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.