Monday, August 5, 2013

Shkëndije Geci ambasadore në Zagreb, rasti Hamiti i mbyllur

Ministria e Jashtme përmes një komisioni hetimor pritet t’i caktojë masat ndaj diplomatit Urtak Hamiti, për incidentin e së premtes në Zagreb. Ndërkohë, në kuadër të rrotacionit të zakonshëm, presidentja ka emëruar Shkëndije Gecin, ambasadore të Kosovës në Zagreb, e cila së shpejti pritet të marrë detyrën.
Ministria e Jashtme në këtë fillim javë merret me rastin e diplomatit, Urtak Hamiti, i cili u arrestua tri ditë më parë në gjendje të dehur në Zagreb. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha për Radio Kosovën se Komisioni që do ta shqyrtojë rastin e Hamitit, por ky rast konsiderohet i mbyllur.

“... Për neve ky kapitull është i mbyllur, por, natyrisht që duhet patjetër të përdorën masat që diplomatët tanë duhet të jenë shembull kur të jenë jashtë vendit, pa marrë parasysh çfarë partie politike kanë, çfarë backgraundi kanë dhe pa marrë parasysh se çfarë periudhe kohore kanë ardhur tek ne”, theksoi Selimi.

Ndërkohë në kuadër të rrotacionit të zakonshëm, presidentja e vendit ka emëruar, Shkendije Gecin Ambasadore në Zagreb, tha Selimi.

“Kryetarja ka emëruar ambasadoren Shkëndije Geci në Zagreb. Ajo shumë shpejtë do të udhëtojë. Ndërsa pas tërheqjes së Hamitit edhe pozita tjetër do të plotësohet konform ligjit dhe rrotacionit të personalit. Hamiti ka qenë e katër vite në Zagreb dhe ai edhe ashtu kështu ka qenë në përfundim të mandatit edhe pa këtë incidentin për fat të keq që është i përfshirë”, tha Selimi.

Hamiti në Zagreb ishte arrestuar në gjendje të dehur, e më pas është liruar. Ai ishte emëruar në shërbimin diplomatik qysh në fillim të krijimit të MPJ-së, që udhëhiqej nga Skënder Hyseni.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.