Monday, August 5, 2013

LDK s’e do Bukoshin?

Për partinë e Isa Mustafës karriera e Bujar Bukoshit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ka përfunduar qysh me themelimin e Listës "Dr. Ibrahim Rugova".
Drejtues të LDK-së nuk i janë gëzuar “zemërgjerësisë” së Bujar Bukoshit se do ta përkrahë partinë e Isa Mustafës që t’i fitojë zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare, pavarësisht se ai është në koalicion me partinë e kryeministrit Hashim Thaçi.

Zyrtarë nga LDK-ja madje konsiderojnë se ky “humanizëm” i treguar nga Bukoshi flet për përftimet e tij dhe s’ka për qëllim forcimin e LDK-së.

“Mendoj se çështja e Bukoshit ka përfunduar, e të mos them edhe karriera. Pra, nuk e shoh njeri të rëndësishëm për LDK-në që ai kinse të na përkrahë neve për t’i fituar zgjedhjet. Ai nuk ka përkrahës për veti dhe si mund ta përkrahë LDK-në. Prandaj, sigurisht se kjo gatishmëri e tij kinse për të na përkrahur neve, është bërë për interesa të tij personale dhe jo për LDK-në”, ka deklaruar për gazetën “Zëri”, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.

Ky i fundit derisa ka treguar se e ka mik të mirë Bujar Bukoshin, njërin nga themeluesit e Listës "Dr. Ibrahim Rugova", ia ka bërë të qartë mikut të tij se pavarësisht gatishmërisë për ta përkrahur LDK-në, nuk do të jetë asnjëherë pjesë e strukturave partiake.

“Ne si parti politike e pranojmë çdo person që na përkrah, por sigurisht se ai (Bukoshi) mendon se duke qenë pjesë e strukturave në parti mund të hyjë në zgjedhje dhe të jetë pjesë e listave a ku ta di unë. Dihet se Bukoshi është sjellë andej e pështjellë këndej dhe tash iu paska tekur kinse që të na përkrahë neve. Por, mos të mendojë se mund të jetë pjesë e strukturave partiake”, ia ka tërhequr vërejtjen Haki Rugova njërit prej themeluesve të Listës "Dr. Ibrahim Rugova", Bujar Bukoshit.

Zëvendëskryeministri në Qeverinë “Thaçi 2”, Bujar Bukoshi, është deklaruar në mënyrë të hapur se do të përkrahë LDK-në e Mustafës që t\'i fitojë zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare, edhe pse është në koalicion me PDK-në e Thaçit. Por, ky deklarim i tij ka irrituar zyrtarët e PDK-së.

Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, në rrjetin e tij social “Facebook” ka shkruar se po të ishte kryeministër i vendit do ta përjashtonte menjëherë nga qeveria Bujar Bukoshin, i cili aktualisht mban postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Thaçit.

Mirëpo, rreth këtij reagimi të deputetit Buzhala nuk ka dashur të flasë vetë Bujar Bukoshi. I dyti i Qeverisë së Kosovës ka thënë që për këtë çështje duhet të pyetet kryeministri Thaçi. “Nuk dëshiroj të komentoj, por thirreni Thaçin dhe pyeteni atë”, ka thënë ai, duke përjashtuar çdo mundësi të ketë ndonjë afrim në këtë fazë me LDK-në e Isa Mustafës.

Mirëpo, analistët politikë konsiderojnë se kjo përkrahje e hapur e Bukoshit për LDK-në vjen si rezultatet i kalkulimeve të tij politike për të qenë sërish pjesë e pushtetit.

“Në këtë moment Bukoshi i ka bërë kalkulimet duke parë se nuk do të jetë pjesë e kurrfarë kombinimi në zgjedhjet e ardhshme, prandaj e ka parë të udhës që pikërisht në këtë moment ta rikonfirmojë përkatësinë për LDK-në. Politikanët pragmatikë gjithmonë kërkojnë mundësi që të kyçen në pushtet dhe shpresa e Bukoshit në këtë rast është në LDK-ja, sepse dihet se “Lista Rugova” s’ka gjasa që të mbledhë vota dhe të jetë faktor politik në të ardhmen, por dosido kjo listë do të shkrihet në LDK”, ka thënë analisti Halil Matoshi.

Ndryshe, Bujar Bukoshi ka qenë ish-kryeministër i Kosovës në ekzil dhe për shumë vite pjesë e strukturave drejtuese në LDK-së. Por ai ka braktisur këtë subjekt politik për shkak të pakënaqësive që kishte shfaqur në atë kohë me zhvillimet brenda LDK-së. Menjëherë pas daljes nga LDK-ja ai në mbështetje të Ukë Rugovës, djali i presidentit Rugova, themeloi Listën “Dr. Ibrahim Rugova", e cila në zgjedhjet e fundit nacionale hyri në koalicion me PDK-në e Thaçit. Lista “Dr. Ibrahim Rugova” në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.