Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka kundërshtuar çfarëdo ndërlidhjeje të mundshme të fesë islame me ekstremizmin dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm nëpër botë.
“Islami nuk ka asgjë me ekstremizëm dhe fundamentalizëm. Nuk e përkrahë vrasjen e të pafajshmëve nëpër botë. Vrasjet që thirren në emër të fesë janë vetëm keqpërdorim i saj”, tha Tërnava për RTK.
Sipas Tërnavës, ka përfunduar koha e neo-komunistëve të cilët duan të shohin mbylljen e xhamive. Këto deklarata i bëri duke hedhur poshtë informatat se në Kosovë ka ekstremistë dhe vehabistë.
“Nuk e di që ka ekstremizëm dhe vehabizëm në Kosovë. Le të na tregojë Ministria e Brendshme dhe Inteligjenca publikisht nëse ka”, theksoi Tërnava.
Shoqëria kosovare, sipas Myftiut të Kosovës, ka ecur drejt zhvillimit të vlerave, duke menduar për ardhmërinë e vet dhe duke vlerësuar të gjitha besimet në Kosovë.

No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.