Ende e kujton atë ditë pranvere të vitit 1999, e cila e ndryshoi rrënjësisht jetën e saj, e shkatërroi emocionalisht. 14 vjet më pas, A. G., emër i njohur për redaksinë, vazhdon të ndjejë erën e neveritshme të paramilitarëve serbë, të cilët e tërhoqën zvarrë dhe e futën në një shtëpi të pabanuar, e dhunuan për disa herë rresht, e lanë ashtu të pavetëdijshme, të shtrirë në dysheme, në mëshirën e askujt.
“Kanë kaluar 14 vite, por mua më duket se ka ndodhur dje, për mu koha nuk ec. Nuk ka ditë që nuk e kujtoj atë moment. As armiku nuk do të doja ta përjetonte atë ndjejnë”, shprehet A. G, sot 35-vjeçare, mësuese në një prej shkollave fillore në një fshat afër Gjakovës, e cila kishte vetëm 21 vjet kur u dhunua nga dy paramilitarë serbë, gjatë muajit maj të vitit 1999, derisa po shkonte nga shtëpia e prindërve te shtëpia e kushëririt për të marrë ujë të pijshëm.
Gazeta “Zëri” ka rënë në kontakt me këtë grua, sot nënë e një foshnje 5-muajshe, e cila pranoi të flasë me premtimin se emri i saj do t’i mbetet anonim.
Për 14 vjet, Qeveria e Kosovës nuk është dëgjuar të ketë shprehur gatishmërinë që të paktën t’u ofrojë ndonjë ndihmë konkrete grave të dhunuara gjatë luftës.
Për herë të parë në muajin mars 2013, me iniciativën e deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje”, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim projektligjin, i cili synon rehabilitimin moral dhe mbështetjen institucionale të atyre që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Por sipas procedurave ligjore, ligji është dashur të miratohet më së largu në muajin maj, ndërsa ende nuk ka kaluar as në lexim të dytë. Opozita ankohet se qeveria me qëllim po e shtyn miratimin e ligjit.
Me projektligj është propozuar beneficion mujor financiar në vlerë prej 250 euro për femrat e dhunuara gjatë luftës.
Ndonëse nuk dihet ende saktë se sa mund të jetë numri i tyre, disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë ngritur zërin, duke thënë se projektligji mund të mos jetë i përballueshëm për nga kostoja financiare.
Opozita ankohet se kur bëhet fjalë për lukse qeveritare, asnjëherë nuk ka pengesa financiare.
Albana Gashi nga “Vetëvendosje”, thotë se kostoja financiare e këtij ligji përballohet nëse minimizohen lukset e qeveritarëve.
Para vetëm një muaji, kur Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, organizoi një debat me përfaqësues të shoqërisë civile, pikërisht për këtë çështje, ishte Nenad Rasic, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili ngriti shqetësimin e kostos financiare për këtë ligj.
“Pengesë për miratim të kë-tij ligji mund të bëhet buxheti. Nuk jam kundër esencës së ligjit, por nuk e dimë sa mund të kushtojë”, ishte shprehur ai.
Pikërisht kostoja financiare e ligjit, ka bërë që i njëjti të vonohet për miratim. Për momentin ligji është në shqyrtim te Komisioni për Punë dhe Mirëqenie Sociale, dhe pas saj ai duhet të kalojë edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë të Qeverisë nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër, u përgjigj shkurt se “nuk ka informata”.
Sidoqoftë, projektligji aktualisht është në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku disa anëtarë aty nuk mendojnë se me qëllim është zvarritur miratimi i tij.
Time Kadriaj, deputete nga AAK dhe anëtare e këtij komisioni, tha për “Zëri”, se ligji është në fazën finale të votimit nga ana e komisionit dhe se diku kah fundi i shtatorit do të kalojë nëpër komisione tjera.

No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.