Sunday, August 4, 2013

Ramadani: Situata në komunikacion, alarmuese

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka vlerësuar alarmuese situatën në rrugët e Kosovës, pas shtimit të aksidenteve që kanë pasuar humbjen e jetëve të njerëzve.
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së dhe udhëheqës i Departamentit për Siguri dhe Sundim të Ligjit në këtë parti Burim Ramadani ka thënë se ky alarm që po e ngritë AAK-ja duhet të jetë alarm për katër kategori, se pari Qeverinë e Kosovës, Policinë e Kosovës, Kontrollin Teknik të Automjeteve dhe Qytetarët, përkatësisht vozitësit.

“Sipas statistikave që i ka ndërtuar Departamenti për Siguri i AAK-së vetëm gjatë dy javëve të fundit, prej 19 korrikut deri me 1 gusht, kanë ndodhur 10 vdekje në aksidente përmes 7 aksidenteve, 203 aksidente me së paku 82 të lënduar dhe 625 aksidente pa lëndime të njerëzve, pra shihet se numri i aksidenteve në rrugët e Kosovës gjatë këtyre dy javëve është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Ramadani.

Ai tha se AAK-ja e ka ngritur çështjen e sigurisë në komunikacion edhe gjatë seancave në Parlamentin e Kosovës ku kanë marrë përgjigje zyrtare nga Ministri i Brendshëm që vetëm gjatë muajit prill të vitit 2013 janë rritur aksidentet në trafik për rreth 24 për qind në krahasim me prillin e vitit 2012.

Sipas Ramadanit, kjo çështje po bëhet shqetësuese dhe po bëhet alarm jo vetëm gjatë këtyre dy javëve të fundit, por gjatë këtyre gjashtë muajve të parë vitit 2013.

“Çka duhet bërë në këtë drejtim. Ne paraqesim pesë pika të rëndësishme që duhet të ndërmerren menjëherë që të përmirësohet situata në komunikacion. E para rritja e numrit të patrullimeve nëpër rrugë nga Policia e Kosovës, e dyta, Mirëmbajtja e rrugëve nga Qeveria e Kosovës, e trata Kampanja vetdijësuese për shoferët, e katërta Hartimi i strategjisë dhe planit të veprimit për siguri në komunikacion nga Qeveria e Kosovës dhe e pesta, Amandamentimi i ligjit mbi sigurinë në komunikacionin rrugor i miratuar në vitin 2007 dhe nuk është plotësuar apo ndryshuar asnjëherë deri me tash. Pra këto janë pikat që besojmë se do të ndikojnë menjëherë në uljen e aksidenteve në trafik në ruajtjen e jetëve të njerëzve dhe forcimit të sigurisë në komunikacionin rrugor”, ka thënë deputeti Ramadani.

Sipas tij, kjo çështje nuk është vetëm një element që duhet të shihet, pasi kur ka patrullime me shumë ka me shumë kujdes të shoferëve, për çka edhe kanë propozuar që të nisë një fushatë vetëdijësuese të shoferëve në komunikacion.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.