OSBE do të angazhohet në lehtësimin e procedurave për votimin e serbëve jashtë Kosovës, të cilët vazhdojnë të kenë statusin e refugjatëve. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, zëdhënësi i OSBE-së, Nikolla Gaon, i cili përmes postës elektronike ka thënë se modalitetet për këtë çështje do të duhej të vinin si rezultat i një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Ekzistojnë procedura të përcaktuara për votim jashtë Kosovës. OSBE mund ta lehtësojë këtë proces. Modalitetet për këtë do të duhej të vinin si rezultat i një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës. Ka një pajtim që në përputhje me dispozitat relevante dhe marrë parasysh praktikat e mëhershme, çdo dokument identifikimi valid është i pranueshëm”, tha Gaon.
Edhe Florian Dushi, anëtar i LDK-së, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve theksoi për Radio Kosovën se sipas marrëveshjes që është arritur në Bruksel, në mes grupeve punuese për zgjedhje, OSBE, EULEX dhe Ministria e Brendshme do merren me aspektet që kanë të bëjnë me verifikimin listës së votuesve, edhe për serbët e zhvendosur.
“Sipas marrëveshjes që është arritur në Bruksel, në mes grupeve punuese për zgjedhje, OSBE, EULEX dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, merren me aspektet që kanë të bëjnë me listën e votuesve, në fakt me regjistrin civil, por që përmbajtja e atij regjistri civil, do të reflektojë në listën e votuesve”, tha Dushi.
Sipas statistikave të UNHCR numri i të zhvendosurve nga Kosova në Serbi, arrin shifrën prej 210 mijë personave të etnive të ndryshme. Të gjithë ata që kanë statusin e refugjatit do të kenë të drejtë të votojnë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, thotë Florian Dushi nga KQZ-ë.
“Të drejtat e serbëve që e kanë statusin e refugjatëve, janë të njohura me ligj që ata kanë të drejtë të votojnë me një kartë të refugjatëve dhe në secilin rast që ata i plotësojnë kriteret për me qenë shtetas të Kosovës, si është e përcaktuar me kushtetutë, ata do të kenë të drejtën për të votuar“, tha ai.
Sipas Rregullores 03/2008 për Votimin Jashtë Kosovës, të drejtë votimin kanë të gjithë ata persona të cilët, jetojnë jashtë Kosovës, por që: janë të regjistruar si qytetarë të Kosovës në Regjistrin Qendror Civil; Banojnë jashtë Kosovës ose e kanë lëshuar Kosovën në apo pas 1 janarit 1998, me kusht që t’i plotësojnë kriteret e parapara sipas ligjit në fuqi për të qenë qytetarë të Kosovës dhe kanë fituar statusin e refugjatit, siç është përkufizuar në Konventën lidhur me statusin e refugjatëve.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.