Mbeturinat nga materialet ndërtimore dhe mbeturina të tjera janë bërë pjesë e jetës së banorëve të “Bregut të Diellit” në kryeqytet.
Ndërtesa në rrugën “Enver Maloku”, ku banorët jetojnë tash e një kohë të gjatë, është e rrethuar me mbeturina.
Banorët ankohen se pothuajse çdo ditë njerëz të papërgjegjshëm i hedhin mbeturinat, duke rrezikuar kështu edhe fëmijët, të cilët vetëm pak metra më larg luajnë në fushën e sportit. Banorët habiten se si Komuna, e cila ka investuar shumë në këtë fushë sporti, nuk ndërmerr asgjë në parandalimin e hedhjes së mbeturinave në këtë pjesë, transmeton KTV-ja.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë thonë se shumë shpejt këta banorë nuk do të kenë më telashe, ngase planifikohet të ndërtohet një deponi mbeturinash.
Deponi pa leje si kjo ka edhe në shumë vende të tjera të kryeqytetit, të cilat u shkaktojnë telashe të mëdha banorëve. Por e tërë kjo bëhet nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët hedhin mbeturina vende e pavend.

No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.