Monday, August 5, 2013

Nenadi kërkon më shumë hise në Qeveri

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic ka paralajmëruar se shumë shpejt do të marrin pozita të reja në Qeverinë e Kosovës, pas themelimit të Grupit të Ri parlamentar.
Në një bisedë për Express, Rasic ka thënë se nuk e synojnë pozitën e zëvendëskryeministrit, të cilën aktualisht e mban Slobodan Petrovic.

Aktualisht në Kuvendin e Kosovës janë tetë deputetë që e përkrahin Nenad Rasicin, i cili ka paralajmëruar mundësinë e themelimit të një partie politike.

Rasic i ka prishur raportet me zëvendëskryeministrin Slobodan Petrovic, i cili kohë më parë ka kërkuar shkarkimin e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Megjithëkëtë, Nenad Rasic thotë se nuk po kërkojnë pozitën që e mbanë Petrovici në Qeveri, por po kërkojnë pozita tjera.

“Ne nuk kemi kërkesë për pozitën e zëvendëskryeministrit. Ne kërkojmë më shumë pozita shtesë në Qeverinë e Kosovës", ka thënë Rasic.

Kërkesat e Rasicit dhe Grupit Parlamentar "Ardhmëria e Përbashkët" duket se kanë gjetur mirëkuptim te kryeministri Hashim Thaçi.

“Disponimi i z. Thaçi është pozitivë sikurse deri më tash qysh kemi pasur bashkëpunim. Kryeministri ka shpreh gatishmëri për bashkëpunim të mëtutjeshëm. Bazuar në këtë ne do të jemi konkret dhe do të propozojmë pozita shtesë për ne në këtë koalicion", ka thënë ai.

“Jemi në proces të negociatave me PDK-në dhe Kryeministrin Thaçi", ka shtuar ai.

Rasic nuk ka dashur të identifikoj pozitat që i dëshirojnë në Qeveri, duke thënë se kërkojnë të kenë më shumë institucione nën udhëheqje.

“Vetëm kërkojmë më shumë institucione t\'i udhëheqim”, ka thënë Rasic.

Ai ka konfirmuar se janë ftohur tërësisht raportet me Zëvendëskryeministrin Petrovic.

“Unë prej fillimit kam dëshiruar të komunikoj por po e shoh se pjesa tjetër nuk ka interes të ngjashëm sikur te ne. Vetëm një mirëdita dhe një mirëmëngjesi e kemi me të”, ka thënë Rasic.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.