Universiteti i Prishtinës gjithnjë e më shumë po bëhet Universitet i numrave e jo i dijës. Trendi i njëjtë po vazhdon dhe vetëm se po intensifikohet. Kjo po arrihet për çdo vit, me procesin e parregullt te pranimit të gjeneratave të reja në UP, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Lëvizja studentore për barazi “STUDIM KRITIKE VEPRIM” (SKV).
Javën e kaluar u mbajt provimi pranues për pranimin e studentëve të rinj që do të fillojnë vitin e ri akademik 2013/2014. Ky provim është pjesë e procesit të pranimit të studentëve të rinj për këtë vit akademik dhe që do të pasohet nga afati i dyte, ndoshta edhe i tretë dhe regjistrimi i studentëve të pranuar gjatë këtyre afateve, thuhen ë kumtesën e SKV.
Më tej në kumtesë thuhet se, ky proces që nga fillimi është i pabarabartë. Pra, kriteret e pranimit fillojnë me pikët e testit të maturës dhe me suksesin e shkollës së mesme dhe mblidhen me arritjen gjatë provimit pranues në njësinë përkatëse akademike. Duke pasur parasysh vlerësimin e dobët të nxënësve në shkollat e mesme të Kosovës, organizimin e dobët të testit të maturës nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe provimin pranues nga ana e Rektoratit, nuk mund të flitet për drejtësi dhe barazi në pranimin e studentëve të rinj.
Sipas SKV, përpos që pabarazia fillon me vënien e kritereve të pabarabarta për pranim, ajo pasohet edhe në parregullsitë enorme që i ka sidomos procesi i pranimit të gjeneratave të reja brenda UP-së. Ky proces njihet si proces i parregullsive, nepotizmit, rasteve korruptive etj. që kryesisht kontrollohen nga organet brenda UP-së, e rrjedhimisht nga pushteti.
Procesi i provimit pranues për afatin e parë në vitin akademik 2013/2014 sipas rektoratit është ndër proceset më të mira që ka pas UP-ja që nga pas lufta. Ata krenohen se nuk e kanë lënë të devijoj këtë proces edhe pse flitet për disa parregullsi të formës teknike edhe në këtë fazë të pranimit të studentëve. Gabimet teknike janë të tipit si mos mbajtja e provimit me kohëzgjatjen e paraparë në fakultetin e edukimit, dalja e listave jo në mënyrë të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë etj.
Ne jemi shumë të shqetësuar se si rektorati në njërën anë krenohet me procesin e “rregullt”, e në anën tjetër nuk përfshihen në monitorim njerëz përpos strukturave të kontrolluara nga vet ai.
Lëvizja studentore për barazi “STUDIM KRITIKE VEPRIM” bën të qartë se në asnjë rast nuk është ftuar që me aktivistët e saj të marrë pjesë në vëzhgimin e procesit pranues ashtu si ftohen studentët e organizatave tjera. Edhe pse kemi përfaqësues si në këshille studentore dhe në parlamentin studentor, nuk kemi pasur as edhe një informim nga organet e UP-së rreth këtij procesi.
Pra, shihet qartë se rektorati dhe organet tjera brenda UP-së kanë qasje përjashtuese ndaj SKV-së dhe nuk e duan atë si pjesë të proceseve pasi që ajo paraqet potencial për ngritjen e parregullsive.
SKV-ja rrjedhimisht është shumë e kufizuar ne informata rreth mbarëvajtjes së këtij procesi, por qasja përjashtuese e udhëheqësve ndaj nesh tregon qartë se brenda këtij procesi ka parregullsi.
Përkujtojmë po ashtu se në këtë fazë të pranimit të gjeneratave të reja, procesi shumicën e herëve nuk ka parregullsi të mëdha. Parregullsitë më të mëdha ndodhin në afatin e dytë të provimit pranues e sidomos gjatë regjistrimit të studentëve, kohë në të cilën dyfishohen apo edhe trefishohen numrat nga ata të paraparë me rregulla.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë informata për parregullsi brenda këtij procesi, që të na i dërgojnë sa më shpejtë ashtu që të mund t’i ngrisim si çështje publikisht. Paralajmërojmë po ashtu se do të hulumtojmë çdo rast, dhe do të organizohemi që në afatin e dytë të jemi pjesë e monitorimit të provimit dhe gjatë regjistrimit të studentëve të arrijmë t’i shpalosim publikisht rastet e nepotizmit dhe korrupsionit që ndodhin për regjistrimin e parregullt të studentëve.
Lëvizja studentore për barazi “STUDIM KRITIKË VEPRIM” paralajmëron se nuk do të shikojë nga larg këtë proces por se do të reagojë ndaj çdo parregullsie të vërejtur me anë të publikimit të skandaleve. Do të organizoj aksione e protesta, ashtu që të arrijmë çlirimin e Universitetit nga parregullsitë e orkestruara nga grupet kriminale e shërbyese ndaj pushtetit.

No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.