Sunday, August 4, 2013

Rektori nuk shqetësohet për mosakreditim të doktoratave

Rreth dhjetë programe të doktoratës të njësive të ndryshme të Universitetit të Prishtinës, nuk janë akredituar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit.
Kjo rezulton në mosndjekjen e studimeve të doktoratës në disa prej njësive të shumë kërkuara për studime, siç janë drejtimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, të Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, si edhe të Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike.

Mirëpo, kjo nuk përbën aspak shqetësim për rektorin e UP-së, Ibrahim Gashi. Ai konsideron se UP-ja po ecën në mënyrë të sigurt me doktoratat.

Nga Agjencia Kosovare e Akreditimit bëhet e ditur se kushtet, që është dashur t’i plotësonte secila njësi akademike, kanë qenë të njëjta me ato të vitit të kaluar, por që disa kanë pasur probleme kryesisht me plan-programet, pasi kanë qenë shumë të vjetra dhe të papranueshme për ekspertët ndërkombëtarë, transmeton KTV.

Agjencia njoftoi se janë shqyrtuar gjithsej 40 propozime për akreditime dhe riakreditime të degëve të ndryshme të UP-së, por edhe të bartësve privatë të arsimit të lartë.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.